Lajme

Kurti: Klani i Novi Sadit organizoi sulmin terrorist në Banjskë – A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për ta?

10/23/2023 10:41
nga:Genita C

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se sulmin terrorist në Banjskë e ka organizuar Klani i Novi Sadit, raporton GazetaBlic.

Kurti thotë se, në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkruan Kurti.

“Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, thotë tutje Kurti.