Lajme

Kurti: Kërkesa për 45 vjet burg për secilin e pambështetur, injoron kontekstin e luftës në Kosovë

02/09/2026 21:53
nga:G B

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas kërkesës së Gjykatës Speciale për dënim prej 180 vitesh burgim për ish krerët e UÇK-së, raporton Gazeta Blic.

“UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i Albin Kurtit:

Thelbi moral dhe historik i luftës sonë çlirimtare konsiston në mbijetesën dhe dinjitetin e popullit.

UÇK-ja ishte bartëse e një lufte të drejtë, ruajtëse dhe mbrojtëse. Ajo u zhvillua në rrethanat e okupimit të egër kur dhuna e apart’heidit po shndërrohej në gjenocid shtetëror.

Çdo përpjekje për t’i shkëputur veprimet individuale nga ky kontekst historik e politik rrezikon të deformojë të vërtetën dhe kuptimin e asaj lufte.

Ne nuk kemi pasur kurrë plan shfarosje të asnjë populli tjetër apo të civilëve. Kërkesa e sotme e Prokurorisë në Hagë për dënim prej 45 vitesh burgim për secilin nga drejtuesit e akuzuar të UÇK-së nuk mbështetet në ndonjë standard të pranuar ndërkombëtar të dënimit. Ajo injoron plotësisht kontekstin e luftës në Kosovë dhe përpiqet ta vendosë këtë çështje në një vakum juridik, duke shkëputur veprimet nga realiteti i një lufte çlirimtare.

Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në bindjen se UÇK-ja bëri luftë të drejtë dhe kryengritje anti-kolonialiste. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të mbrojnë të vërtetën faktike e historike, vlerën dhe dinjitetin e luftës për liri si dhe parimet themelore të drejtësisë, duke kundërshtuar çdo orvatje për shtrembërimin e tyre.