Lajme

Kurti ia “mësyen” Obiliqit

12/16/2021 13:06
nga:Gazeta Blic

Kryeministri Albin Kurti do të vizitojë sot Termocentralin “Kosova B” dhe Termocentralin “Kosova A”, pas situatës energjetike në vend.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

Sipas ZKM’së, ai do të vizitojë teremocentralet në orën 15:30.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, viziton Termocentralin “Kosova B” dhe Termocentralin “Kosova A””, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar sot se është lëshuar në punë njësia B1 e Termocentralit Kosova B dhe, si rrjedhojë, Termokosi ka filluar të furnizohet me avull për ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, KEK’u ka bërë me dije se aktualisht janë në punë të tri njësitë aktive të Kosovës.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se sot, me datë: 16.12.2021 në ora 06:40, pas sanimit të rrjedhjes në kaldajë njësia B1 e Termocentralit Kosova B është lëshuar në punë.

Si rrjedhojë, sot në mëngjes, në ora 08:10, Termokosi ka filluar të furnizohet me energji termike (avullin) nga Kosova B për ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e KEK’ut.