Kurti i thotë Prattipatit se Qeveria e tij mbetet e përkushtuar ndaj synimeve për integrim në BE dhe NATO

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në zyrën e tij të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Prattipati e uroi Kurtin për formimin e Qeverisë dhe për mandatin e ri. Diskutuan për raportet bilaterale dhe potencialin e madh të tyre, sidomos në fushën e tregtisë dhe investimeve, por edhe në fusha të tjera si sundimi i ligjit, siguria dhe integrimi euro-atlantik.

Kurti shprehu mirënjohjen e tij për urimet dhe bashkëpunimin e deritanishëm me Prattipatin dhe Ambasadën amerikane në Kosovë, si dhe gatishmërinë e plotë të tij dhe të kabinetit të ri qeveritar për të vijuar dhe avancuar këtë bashkëpunim, përfshirë marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit Kurti, ndër të tjera, theksoi se Republika e Kosovës dhe qeveria që ai drejton mbeten të përkushtuara ndaj synimeve për integrim në BE dhe NATO, si dhe angazhohen për paqe dhe siguri në rajon dhe aleanca të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike.