Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takoj kryetarët e komunave të Kosovës, raporton Gazeta Blic.
Takimi është planifikuar me datë 15 maj, por që nga ministria e Pushtetit Lokal, nuk është caktuar ende, as agjenda e këtij takimi e as vendi dhe ora se ku do të mbahet ky takim.
Gazeta Blic ka arritur të siguroj ftesën dërguar kryetarëve të komunave.
“Ju njoftojmë se me datë 15 maj 2023 është planifikuar takimi i përbashkët ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Kryetarëve të Komunave, të organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal”, thuhet në ftesë.
Tutje në ftesë thuhet se takimi është aq me rëndësi saqë kryetarëve i është kërkuar ta planifikojnë mirë agjendën e tyre.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij takimi, ju lutem që t’a rezervoni në agjendën Tuaj, datën 15 maj 2023 për takimin në fjalë. Ndërkohë ju njoftojmë për detaje të tjera”, thuhet në ftesën që MAPL I ka dërguar në adresë të kryetarëve të komunave.
Por para se shefi i qeverisë të thërret këtë takim, kanë qenë kryetarët e komunave që pak ditë më parë kanë kërkuar një takim urgjent me qeverinë e Kosovës, gjegjësisht kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar rreth disa temave që kryetarët po i shohin me urgjencë.
Kryetarët e komunave kanë propozuar këto tema për diskutim:
“1. Tatimi në pronë – Ligji i ri për tatimin në pronë si dhe mundësia e faljes së 100 euro përmes ligjit; 2. Procedurat e rekrutimit në shërbimin publik; 3. Të hyrat vetanake dhe buxheti për Komunat; 4. Pronat e administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe nga Agjencia e Pyjeve e që mund të jenë në interes të komunave; 5. Grantin e Katërt për Komunat, procedimin e ligjit për financa lokale”, thuhej në kërkesën e kryetarëve të komunave.
Por në këtë takim të planifikuar me 15 maj, disa prej komunave të Kosovës, që ishin prekur nga vërshimet siç janë Skenderaj, Drenas e Mitrovica mund të diskutojnë se pse qeveria e Kosovës ende nuk ka ndihmuar këto zona e që tashmë Qeveria ka të gjitha raportet që janë bërë dhe vlerën që kishin shkaktuar vërshimet në këto komuna.
Por pikat më të ‘nxehta’ në takim Kurti – kryetarët e komunave, mund të jenë rritja e tatimit në pronë dhe projektligji për këtë çështje.
Qeveria gjegjësisht, ministria e Financave ka marrë vendim që tatimi në pronë të shtrenjtohet, e kjo ka krijuar shumë paqartësi te qytetarët, të cilët deri në fund të prilli kanë pritur nëse komunat do t`ia falin nga 100 euro secilit qytetarë që paguan tatimin në pronë me rritje.
Opozita por edhe kryetarët e komunave kanë kërkuar që kjo rritje e tatimit në pronë të shtyhet deri në fillim të vitit 2024.
40 për qind, kryetarët e komunave kanë vlerësuar se do të kenë më pak të hyra vetanake si pasojë e rritjes së tatimit në pronë.
Aktualisht projektligji për tatimin në pronë është diskutuar në komisionin për buxhet dhe financa.
Nuk ka një datë se kur ky projektligj mund të shkoj në Kuvendin e Kosovës për diskutim e aprovim.


