Lajme

Kurti i përgjigjet sërish ambasadorit Hill: Gjatë takimit në Bruksel në tavolinë kemi vendosur propozime konkrete

08/24/2022 13:31
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka folur edhe një herë për deklarimet e ambasadorit amerikan, Chris Hill, për takimin e 18 gushtit në Bruksel e cili ka thënë se Serbia kishte qenë e përgatitur por jo edhe Kosova.

Kurti ka thënë se në këtë takim ka qenë kreativ e i përkushtuar dhe se në tavolinë kishte vendosur propozime konkrete.

Ai tutje ka thënë se ka qenë Serbia ajo që kishte shtyrë takimin e paraparë të mbahej në korrik dhe përsëri edhe pas një muaji në Bruksel kishte shkuar pa ide konkrete.

Kurti edhe një herë ka përsëritur së në Bruksel kishte udhëtuar si kryeministër i Kosovës dhe jo si polic, doganier apo zyrtar i kadastrës.

“Kam marre pjese ne te gjitha takimet. Kam qene kreativ konstruktiv, i përkushtuar për dialog për marrëveshje, jo për dialog për dialog. Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e obligueshme. Unë kam shkuar më propozime konkrete. Së pari në pikën kryesore që është korniza gjithëpërfshirëse e përgjithshme e marrëveshjes për normalizim unë kam propozuar një ide me gjashtë kapituj dhe me elemente përkatëse se si do të duhej të dukej ajo kornizë. Pra unë kam propozuar konkretisht, tash ai që propozon konkretisht është konstruktiv, ndihmues kreativ dhe ky kam qenë unë në takimin e 18 gushtit”, ka thënë Kurti.

Kurti theksoi se takimi ishte paraparë të zhvillohej më 19 korrik, por ishte shyturë për një muaj me kërkesën e Beogradit.

“Dhe kur ka ardhur pas një muaji s’ka sjellur ide konkrete. Unë kam sjellë ide konkrete, dhe jo vetëm kaq. Teksti dhe përmbajtja e një marrëveshje është dakorduar. Teksti i marrëveshjes për personat e zhdukur me dhunë është dakorduar, Beogradi ka refuzuar ta nënshkruaj. Nga ana ime kjo gjë ka qenë pozitive optimiste, takimi ka qenë në frymë pozitive, mirëpo s’ka pasur gatishmëri nga pala tjetër, që të bëjë asnjë lloj marrëveshje”, tha Kurti.