Lajme

Kurti i përgjigjet Borrelit për arrestimet dhe FSK-në në veri: Dezinformimi i rrezikshëm dhe i papranueshëm

06/23/2023 21:39
nga:Astrit Gashi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur deklaratave të Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili tha se është i alarmuar për arrestimet që po ndodhin në veri dhe për marshimin e FSK-së.

Kurti tha se në stërvitjet e sotme nga Regjimenti III i Forcave të Sigurisë së Kosovës, në Mitrovicën e Jugut janë aktivitete rutinë, të planifikuara çdo vit. Gjithashtu, Kurti përmendi që për këtë aktivitet të FSK-së, KFOR-i ka qenë i informuar.

Kurti ka thënë se përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme veç “u fryjnë tensioneve dhe u ndihmojnë atyre që kërkojnë përshkallëzim”.

“Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, ka shkruar Kurti në një postim në Twitter.

“Një thirrje për të gjithë: Ju lutem konfirmojini burimet dhe prisni për informata zyrtare nga institucionet e Kosovës para se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve apo parashikimin e ngjarjeve”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka thënë se serbi i arrestuar në veri gjatë ditës është kapur “bazuar në dëshmitë e bollshme dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës”.

Ai tha se si kryeministër nuk ka gisht në hetime e arrestime.