Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit me liderët evropianë në Bruksel ka deklaruar se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë që përfshinë edhe draftin evropian për Asociacionin.
Një gjë e tillë u bë e ditur pak minuta më vonë edhe në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
“Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruaj edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023” thuhet në komunikatën e ZKM-së raporton Gazeta Blic.
Në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Kurti rreth Asociacionit ka folur për “Gazeta Blic” deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli.
Humolli tha se pranimi i Asociacionit nga kryeministri Kurti nuk është befasi për të.
Ai potencoi se gjithçka është vazhdim i politikës së vjetër dhe se ka vetëm ndërrim individi.
“Për mua nuk është ndonjë befasi, përderisa është pranu me bisedu me shtetin serb për Kosovën, nuk është risi asgjë. Kjo është vazhdim i politikës së kaluar të partive të tjera. Nuk ka ndërrim esencial, por ka vetëm ndërrim individi” tha shkurti deputeti Humolli për “Gazeta Blic”.

Fatmir Humolli, Deputet i pavarur
Në lidhje me draftin e ri të propozuar nga pesë diplomatët evropianë, ka folur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Konjufca tha se propozimi kësaj radhe është munduar të bëhet në përputhje me Kushtetutën.
“Drafti që unë e pashë, por nuk pata mundësi shumë ta analizojë thellësisht, sepse menjëherë kryeministri prej atje vazhdoj, nuk mujtem me analizu në detaje, qeveria me siguri e ka analizuar, por unë si kryetar i parlamentit jo. Janë munduar të shkruajnë në përputhje dhe me frymën e Kushtetutës së Kosovës”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e Zbatimit të saj janë dakorduar në muajin mars në Ohër.
Në asnjërin prej dokumenteve, palët nuk i kanë vendosur nënshkrimet.
/Gazeta Blic/
Kurti këmbëngul në nënshkrimin e marrëveshjeve, thotë se Vuçiq refuzoi
Konjufca: Drafti i ri i propozuar për Asociacionin, goxha më ndryshe prej atyre që i kemi kritikuar


