Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se fjala pagë dhe veteran s’duhet të jenë në të njëjtën fjali.
Komente të tilla ai i ka bërë në konferencën e sotme për media të mbajtur bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kryeministri i vendit ka shtuar se paga nuk merret për diçka që është bërë para 23 vjetëve. Sipas tij, veteranët marrin beneficion.
“Unë nuk besoj që në Republikën e Kosovës fjalën veteran dhe luftëtar e çlirimtar në njërën anë, dhe fjalën pagë në anën tjetër, duhet t’i kemi në të njëjtën fjali. Këto janë beneficione për veteranët si mirënjohje e shoqërisë, por jo pagë. Paga merret në kohën e tashme të vazhdueshme jo për diçka para 23 vjetëve. Kjo nënkupton që beneficioni nuk bën të lidhet me pagën minimale. Unë besoj që beneficioni për veteranët duhet të jetë më i lartë se paga minimale. Por për këtë kam kërkuar që paraprakisht të bëhet një rregullim i listave sepse duhet të vijmë tek e vërteta historike ashtu siç ka qenë. Nuk kemi nevojë ta shtojmë numrin e veteranëve që të ndihemi krenarë”, ka thënë Kurti të shtunën.


