Lajme

Kurti- Emisarit Peach: Nga marrëveshja me Serbinë të përfitojnë qytetarët e jo politikanët

02/10/2022 13:51
nga:N M

Kryeministri Kurti ka pritur në takim Emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.

Zyra për media e kryeministrisë ka dhënë detaje nga ky takim.

Gjatë takimit Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Serbinë e që do të përfundonte me njohje reciproke dhe brenda kufijve aktual e pa u prekur ose cenuar kushtetuta e Republikës së Kosovës.

“Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët, tha kryeministri Kurti.

Ai ritheksoi që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara”, ka thënë ndër të tjera Kurti.

Njoftimi i plotë:

Paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë dhe siguria rajonale ishin tema e takimit ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me Emisarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach dhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbott.
Kryeministri Kurti falënderoi emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe shpalljes së pavarësisë.
Mbretëria e Bashkuar është partner i Kosovës i domosdoshëm për zhvillim dhe siguri, tha kryeministri duke mirëpritur emërimin e emisarit Peach si veprim i duhur që do t’u kontribuojë proceseve politike në Ballkanin Perëndimor.
Ai theksoi përkushtimin për ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar duke vënë theksin tek diaspora, si urë lidhëse për të thelluar bashkëpunimin në sferën e investimeve po ashtu edhe në atë të bashkëpunimit kulturor e njerëzor.
E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar në përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO është qendror, e si hap i ardhshëm e i domosdoshëm është anëtarësimi i Kosovës në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, proces i cili sjell stabilitet për rajonin, theksoi Kryeministri.

Emisari Peach vlerësoi lart marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të sigurisë.

Kryeministri Kurti e informoi emisarin për reformat e nisura duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillim ekonomik, reformë në drejtësi dhe qeverisje të mirë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët, tha kryeministri Kurti. Ai ritheksoi që integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara.

Marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut.

Rritja e çmimit të rrymës – Dardan Molliqaj vazhdon rrugën i vetëm – opozita nuk i përgjigjet për takimin e nesërm