Lajme

“Kurti e Sveçla të kenë kujdes në deklarata publike, mund të destabilizojnë vendin dhe serbët ndryshojnë planin”

12/24/2023 20:41
nga:G C

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi thotë se Kosova vazhdon të jetë e ekspozuar ndaj një rreziku që vjen nga strukturat serbo-ruse.

Elezi në një prononcim për GazetaBlic thotë se Kurti dhe Sveçla kanë dalë në konferencë për medie duke paralajmëruar rrezik nga Radojçiqi pa asnjë shpalosje të provës.

“Ne në fakt jemi nga personat e parë që kemi deklaruar për një situatë të rëndë të sigurisë në Kosovë, duke marrë parasysh që Kosova është e ekspozuar ndaj një rreziku që vjen nga strukturat serbo-ruse që kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit, veçanarisht Kosovën”, tha Elezi.

“Në deklaratat e kryeministrit të Kosovës dhe të ministrit të punëve të brendshme nuk kemi parë asnjë provë konkrete, por analiza të situatës së sigurisë. Duhet të përmendim një çështje që ne e kemi thënë në media, që AKI-ja a ka informacione për vendndodhjen e Radojçiqit, do të ishte mirë ta dimë”, shtoi ai.

Ai thotë se me deklarata të tilla po krijohet panik, teksa shton se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë sidomos nga udhëheqësit e shtetit.

Elezi shton se detyra e tyre është që të marrin veprime konkrete për kushtet e sigurisë.

“Institucionet e zbatimit të ligjit do të duhet të marrin veprime , duke bërë plane konkrete operative për të krijuar rrethana e kushte sigurie e jo të deklarojnë apo të shkaktojnë panik në masë sepse nuk e kanë detyrën e analistëve e as të shoqërisë civile. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mandatuar nga qytetarët për të siguruar siguri e jo konferenca për shtyp me qëllim që të tregojnë çka ka zbuluar AKI-ja apo dikush tjetër”, shtoi Elezi.

“Duhet të kemi parasysh faktin që Kosova dhe Serbia kanë një kufi mbi 380 kilometra i cili mund të jetë në dispozicion të grupeve terroriste për të zhvilluar aktivitete të dhunshme. Personat që përgatiten ushtarakisht mund të futen në Kosovë përmes rrugëve legale, jo në grupe por në mënyrë individuale.Policia e Republikës së Kosovës duhet të ketë informacione për bazat e armatimeve që mund të jenë në Kosovë”, shtoi ai.

Sipas Elezit, edhe nëse Kurti dhe Sveçla kanë informacione duhet të kenë kujdes në deklaratat e tyre publike pasi sipas tij mund të përdoren nga ana serbe.

Elezi shton se deklarata të tilla mund të ndikojnë drejtpërdrejt në destabilizim të vendit.

“Deklaratat e Kurtit e Sveçlës do të duhej të ishin më shumë të bazuara, nëse të njejtit kanë informacione të klasifikuara të kenë kujdes që t’i shpalosin ato pasi ekziston rreziku që pala tjetër t’i përdorë ato, për të kaluar në planin B apo C.

Duhet të kemi kujdes me deklarime në opinon sepse edhe ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt në destablizimin e vendit”, tha Elezi për GazetaBlic.

Berisha: Deklarata e Kurtit për sulme dëshmon se ai dhe Vuçiqi kanë lidhje kauzale, fakt se kemi skenarë të koordinuar

Shala paralajmëron: Përveç Kosovës, këto janë vendet që Serbia ka target të krijojë situatë të ngjashme si Rusia në Ukrainë

“Radojçiq po përgatit sulm të ri në veri” – Islami: Nga një shtet si Serbia gjithçka pritet, Kurti e Osmani kanë informatat e hollësishme nga AKI-ja

Paralajmërimi i Kurtit për sulm në Veri, analistët: Të plotësohen urgjentisht kërkesat e PK-së, mund të sulmohen nga grupi që iki më 24 shtator