Krerët e shtetit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, po qëndrojnë në SHBA.
Derisa Osmani ka nisur ditë më parë vizitën atje, Kurti ka nisur sot vizitën, derisa është takuar me kongresistin republikan, Keith Self, në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork, ku me të bisedoi për raportet Kosovë-SHBA, për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe për rolin aktiv të diasporës shqiptare në SHBA.
Por, çka pritet nga vizita e tyre në Amerikë?
Analistja politike, Magbule Shkodra, thotë për Gazeta Blic se sa i përket Osmanit, takimi më i rëndësishëm del të jetë ai me Kaja Kallas.
“Është mirë që presidentja ka udhëtuar në SHBA dhe po e përfaqëson Kosovën atje dhe nga ajo që po shohim s’ka pasur ndonjë takim të rëndësisë së lartë për Kosovën. Kishte një shtrëngim duarsh me sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio, dhe prej takimeve që i ka paraqitur takimi më i rëndësishëm me Kaja Kallas, por jo takim, ulje në tavolinë, me përfaqësuesit më të lartë të shtetit për situatën dhe si të ecet përpara në Kosovë”, është shprehur ajo.
Ndërsa, lidhur me vizitën e Kurtit, ajo e quan lajm të mirë që Kurtit nuk i është ndaluar hyrja në SHBA, pas pezullimit të dialogut strategjik.
“Sa i përket z.Kurti se ka udhëtuar në SHBA, më vjen mirë që nuk ka ndalesë për të hyrë në SHBA, është mirë për ne, pasi javën e kaluar kishim deklaratën nga SHBA-të për pezullim të dialogut strategjik, është mirë që i është lejuar hyrja në SHBA për Kosovën dhe vet atë. Sa i përket takimeve, në deklaratën e kryeministrisë nuk është treguar se çfarë takimesh ka”, vlerëson Shkodra për Gazeta Blic.
Ajo shton se nëse Kurti do të kishte takime me zyrtarë të lartë amerikanë, do të dihej paraprakisht pasi bëhen me agjendë shumë kohë më parë.
“Kur ka aranzhime të takimeve me zyrtarë të lartë të SHBA-ve, patjetër që aranzhohen shumë më herët , agjenda, koha dhe të gjitha janë të caktuara shumë më herët. Por, deri më tani nuk pamë ndonjë informatë se ka takime të tilla. Kuptohet se pasi që janë në margjina të Kombeve të Bashkuara, aty do të ketë ndonjë takim edhe me ndonjë kongresist, senator, përfaqësues të shteteve të tjera, por për Kosovën është e rëndësishme që Kurti të ketë takime me sekretarin e shtetit, me zyrtarët më të lartë të SHBA-ve, Britanisë, Gjermanisë, e të tjera”, ka theksuar ajo.
Andaj, Shkodra ka dyshime për takime të tilla.
“Ka dyshime se do të ketë takime me zyrtarë të lartë të shtetit sepse po të kishte do të ishin para aranzhuar dhe publiku do të informohej me kohë sepse dëshira e tyre çdo qeveritari që sa më shpejt kur ka ndonjë takim të nivelit të lartë, lajmërohen, dëshiron ta informojnë publikun sepse e shohin si sukses të tyre, andaj nuk kam ndonjë besim se do të ketë takime me zyrtarë të lartë të SHBA-ve”, ka deklaruar Magbule Shkodra./Gazeta Blic/


