Kryeminsitri i vendit, Albin Kurti duket se ka nisur fazën e parafushatës elektorale.
Ai ka njoftuar se në Korporatën Energjetike të Kosovës janë punësuar 149 të rinj, raporton Gazeta Blic.
Sipas njoftimit të lëshuar për media nga Zyra e Kryeministrit thuhet Kosova ka pasur rritjen ekonomike prej 6.2 për qind të bruto produktit vendor.
“Kryeministri theksoi se KEK-u është jetik për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe rritja ekonomike që e ka shteti ynë në tri vitet e fundit, mesatarisht 6.2 për qind të bruto produktit vendor, nuk do të ishte i mundur pa energjinë që vjen nga ky vend dhe nga puna e palodhshme e punëtorëve atje”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Njoftimi i plotë:
Punësohen 149 punëtorë të rinj në KEK
Prishtinë, 10 shtator 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi ditën e sotme Termocentralin “Kosova B” të KEK-ut, në të cilin janë duke u bërë remontet në përgatitje për sezonin e dimrit, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Prezent ishte dhe u.d Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gërguri.
Qëndrimi në KEK, kishte në fokus jo vetëm vëzhgimin nga afër të kushteve dhe punës që zhvillohet atje, por veçanërisht edhe bashkëbisedimin me punëtorët e KEK-ut, në lidhje me angazhimin e tyre dhe sfidat me të cilat përballen ata.
Sot KEK-ut po i bashkohen 149 punëtorë të rinj, për të cilin kryeministri nënvizoi rëndësinë e shtimit të kuadrove të reja dhe inkuadrimit të sa më shumë të rinjve e të rejave.
“Ne e duam dhe e vlerësojmë lart KEK-un si burim natyror i energjisë, si kapacitet prodhues e zhvillimor, por njëkohësisht edhe si organizatë e punëtorëve që po zgjerohet sot,” shtoi kryeministri.
Kryeministri theksoi se KEK-u është jetik për ekonominë e Republikës së Kosovës dhe rritja ekonomike që e ka shteti ynë në tri vitet e fundit, mesatarisht 6.2 për qind të bruto produktit vendor, nuk do të ishte i mundur pa energjinë që vjen nga ky vend dhe nga puna e palodhshme e punëtorëve atje.
Në përfundim, kryeministri ju dëshiroi suksese e punë të mbarë punëtorëve të rinj, si dhe shprehu përkrahjen e palëkundur të Qeverisë për KEK-un.


