Lajme

Kurti e Murati vizituan pensionisten 113 vjeçare

07/31/2023 22:21
nga:G C

Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati vizituan sot 113 vjeçaren, e cila sipas Muratit, është pensionistja më e moshuar në Kosovë.

Ministri tha se “halla Xhezide” pavarësisht moshës së shtyrë e kishte kthjelltësinë e mendjes dhe forcën fizike.

“Bashkë me Kryeministrin Kurti, pas vizitës tek prodhuesit vendorë, sot ishim në vizitë edhe te halla Xhezide, e cila me 113 vite është pensionistja më e moshuar në Republikën tonë. E lindur në vitin 1909, ajo ka përjetuar shumë situata e ndryshime epokash. Por pavarësisht moshës së shtyrë ajo ende kishte kthjelltësinë e mendjes dhe forcën fizike”, shkroi Murati.

Teksa pas saj, Kurti e Murati vizituan edhe lokalin e të birit të saj, i cili po e vazhdonte punën me zejen që e ushtronte tash e 54 vite.

“Në Mitrovicë vizituam edhe lokalin e rrobaqepësisë të të birit të saj Farukut, i cili anipse i pensionuar tashmë, vazhdonte punën me zejen që e ushtronte tash e 54 vite. Ai na tregoi edhe për kohën e tij si boksier e pastaj edhe si trajner boksi në Klubin Trepça. Farukut i uruam punë të mbarë, e hallës Xhezide jetë sa më të gjatë”, shkroi tutje ai.