Lajme

Kurti e Hamza pritet të takohen sot, në fokus Presidenti dhe Ligji për Dhomat e Specializuara

10/02/2026 11:42
nga:Mergim Rreci

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pritet të zhvillojnë një takim gjatë pasdites së sotme.

Takimi vjen në një periudhë të rëndësishme politike, ndërsa në qendër të diskutimeve pritet të jenë ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Kurti ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur komunikimet mes subjekteve politike me synimin për të gjetur një zgjidhje gjatë ditëve në vijim.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, procesi ndodhet brenda një afati të përcaktuar kushtetues, ndërsa kanë mbetur edhe pesë ditë për arritjen e një zgjidhjeje.

Pas takimit pritet të bëhet më e qartë nëse palët do të arrijnë ndonjë marrëveshje apo dakordim lidhur me çështjet që kanë mbetur të hapura.