Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është bashkuar fushatës “Thuaj jo qeseve të plastikës” dhe ka pranuar nga shoqata “HANDIKOS” strajcë të ri- përdorshme të punuar nga personat me nevoja të veçanta.
Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku po qëndrojnë personat me aftësi të kufizuara për të promovuar kampanjën, Kurti ka thënë se ekziston nevoja për përgjegjësi institucionale dhe vetëdijesim shoqëror për personat me aftësi të kufizuar por edhe mbrojtjen e ambientit.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se duhet krijuar një paketë legjislative për mbrojtjen e ambientit.
“Edhe duhet të kujdesemi për ata të cilët janë më të varfër, më të dobët, të sëmurë apo me nevoja të veçanta por njëkohësisht edhe duhet të kuptojmë që burimet natyrore janë të fundme dhe ato janë edhe mjedis jetësor e jo vetëm lëndë e parë për teknologji. Andaj edhe kjo iniciativë është shumë e mirë, ne kemi nevojë për përgjegjësi institucionale dhe vetëdijesim shoqëror. Ajo çka duhet të bëjmë është të krijojmë një grup punues në të cilin marrin pjesë ministra të caktuara me komision parlamentar por gjithashtu edhe shoqëria civile dhe bizneset, në mënyrë që ta bëjmë një paket legjislative për mbrojtjen e ambientit”, ka thënë Kurti.


