Lajme

“Kurti do të duhej që ta hartonte më herët Draftin për Asociacionin”

12/24/2023 22:47
nga:G C

Çështje e brendshme e Kosovës.

Kështu e konsideroi themelimin e Asociacionit, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Prandaj, sipas tij për të vazhduar tutje me këtë proces, nuk nevojitet nënshkrimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo nuk i pëlqeu kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili shkroi në Facebook, se është i gatshëm që në vitin e ri të hartoj një draft modern për Asociacionin.

Ky veprim, sipas profesorit Dritëro Arifi, do të duhej të bëhej më herët.

“Po të kishim pas pak më shumë seriozitet, draft-statuti ish bërë para marrëveshjes së Brukselit, sepse ndoshta pastaj do të mund të ishte marrëveshja më e favorshme për Kosovën, ku do të mund ta kishim edhe njohjen ligjërisht të obligueshme nga Serbia, atë njohjen reciproke e qe nuk e kemi”, ka deklaruar profesori universitar, Dritero Arifi.

Në gjithë këtë proces, Kosova, sipas tij duhet të tregohet më serioze.

“Tash përgjigja e kryeministrit për emisarin Lajcak më shumë është një lojë fëmijësh, pra sikur ai fëmija i lazdruar në shkollë që askush nuk e merr seriozisht në atë që e thotë. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse kur të flet kryeministri njerëzit e shikojnë, dhe nëse flet gjëra që nuk kanë kuptim atëherë është vështirë edhe të merret seriozisht”, vijon ai.

Megjithatë, sipas analistit Gazmir Raci, gjërat kanë ndryshuar me kundërshtimin e Serbisë që t’i zbatoj marrëveshjet e arritura deri më tani.

“Tërheqja e Serbisë nga zbatimi i marrëveshjeve përmes letrës së kryeministres serbe para disa javëve, që e ka deponu në Bashkimin Evropian, pak a shumë e ka ndryshu gjendjen në zbatimin e krejt obligimeve që dalin nga Brukseli. Kosova edhe në të kaluarën ka qenë e gatshme që ta përgatis draft-statutin, por asokohe u tha që duhet një dokument i përbashkët”, ka thënë analisti Gazmir Raci.

Në reagimin e tij në Facebook, kryeministri Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian që t’i bëhet më shumë presion Serbisë, e jo të tentohet që Kosova të paraqitet problematike në këtë proces./Dukagjini/