Lajme

Kurti dhe Sveçla takojnë shefin e EULEX-it, diskutohet edhe për dezinformimin dhe lajmet e rreme

10/07/2024 21:59
nga:G B

Kryeministri Kosovës Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, e kanë pritur sot në takim shefin e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, Giovanni Pietro Barbano.

Gjatë takimit me të parin e EULEX-ut, Kurti i vlerësoi marrëdhëniet me misionin evropian, si reagues i dytë i sigurisë në vend e në këtë prizëm veçanërisht edhe atë në raport me bashkëpunimin me Policinë e Kosovës.

I pari i ekzekutivit theksoi dhe gatishmërinë e vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit edhe në fushat si ajo e forenzikës përmes Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“U diskutua edhe çështja e lajmeve të rreme dhe dezinformimit e cila u konsiderua si tejet shqetësuese”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Më tej, u nënvizua se incidentet ndëretnike janë gjithnjë e në rënie të dukshme, në veçanti gjatë këtij mandati qeverisës.

Të dy palët mbeten të përkushtuara në gjithëpërfshirjen e të gjitha komuniteteve dhe harmonisë sa më të gjerë ndëretnike.

Kryeministri Kurti e falënderoi shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, për takimin duke shprehur rëndësinë e fuqizimit të bashkëpunimit.