Gjatë vizitës në Slloveni, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin e Sllovenisë dhe ministrin e Punës, Familjes, Çështjeve Sociale dhe Mundësive të Barabarta, Luka Mesec.
Në këtë takim, ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, duke theksuar mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e mërgatës kosovare në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve, duke deklaruar se: “Roli i mërgatës sonë është kyç në forcimin e urave ndërmjet popujve tanë dhe vendeve tona.”
Ata gjithashtu shkëmbyen mendime mbi situatën gjeopolitike globale, me një fokus të veçantë në ndikimet e mundshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kurti vuri në dukje mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj Kosovës dhe shprehu mirënjohjen e tij për angazhimin e shtetit slloven.
Ai u shpreh se “Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë, si në rrafshin ndërkombëtar ashtu edhe në fushën e sigurisë, ku trupat sllovene në Kosovë kontribuojnë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR.”
Për më tepër, në vizitën zëvendëskryeministrit Mesec në Kosovë, që ndodhi të mërkurën, u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, një marrëveshje që do të lehtësojë jetesën e qytetarëve të Kosovës në Slloveni dhe anasjelltas.