Lajme

Kurti dënon plagosjen në Shtërpcë: I dyshuari pa asnjë mëdyshje do të përballet me drejtësinë

01/06/2023 18:25
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar rastin e plagosjes së dy personave në Shtërpcë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se është thellësisht i brengosur dhe u uron shërim të shpejtë.

Ai ka thënë se i dyshuari i cili është arrestuar, pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë.

Postimi i tij i plotë:

E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë.

Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm.

Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim.