Lajme

Kurti: Brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të UÇK-së

03/11/2025 12:24
nga:Genita C

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar protestat e vitit 1981.

Ai ka bërë me dije se brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka shkruar se kjo ngjarje duhet të kujtohet me mirënjohje të thellë dhe me nderime e respekt.

“Në demonstratat e vitit 1981, u shfaq parulla “Kosova Republikë”, e cila vazhdoi të shkruhej gjatë tërë asaj dekade, herë e plotë e herë si një akronim me dy shkronja “KR”. Shumë organizata politike ilegale fituan forcë nga demonstratat e vitit 1981 dhe nga trashëgimia e tyre, duke e mbajtur të gjallë shpirtin e revoltës popullore dhe të rezistencës për një Kosovë të lirë. Brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e drejtë në dekadën pasuese, e çliruan Kosovën në qershor të vitit 1999. Kështu, parulla popullore “Kosova Republikë”, u bë Deklaratë Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutë e Kaçanikut më 7 shtator 1990 drejt realitetit politik të shpallur më 17 shkurt 2008, në formacionin politik e juridik të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur”, ka shkruar Kurti.