Lajme

“Kurti bënte thirrje për rritjen e tarifave”, Lekaj: Qytetarëve tu kompensohet çdo cent i paguar më shumë

05/19/2022 12:22
nga:G B

Gjykata e Apelit ka aprovuar anulimin e vendimit të ZRRE-së për rritjen e tarifave të energjisë elektrike.

Partitë opozitare këtë e kanë vlerësuar si fitore të qytetarëve, të cilët nuk do të paguajnë faturat me çmim të lartë të energjisë.

Madje, ata kanë kërkuar që paratë tu kthehen qytetarëve, për tre muajt që ata kanë paguar më shumë.

Lidhur me këtë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, njëherësh anëtar i Komisionit për Ekonomi, Industri, ndërmarrësi dhe Tregti, ka thënë për Gazeta Blic se ky vendim është lajm i mirë për qytetarët.

“Aprovimi nga Gjykata e Apelit për anulimin e vendimit të ZRRE për rritjen e tarifave të energjisë elektrike është lajm i mirë për qytetarët dhe vërteton qëndrimin tonë kundër kësaj padrejtësie”, ka thënë ai.

Lekaj thotë se duhet të shkarkohet Bordi i ZRRE-së, derisa shton se përgjegjësia bie ndaj Qeverisë, pasi kryeministri Kurti bënte thirrje për rritjen e tarifave.

“Sigurisht se ky institucion duhet të thirret në përgjegjësi për këtë vendim antikushtetues dhe antiligjor. Shkarkimi i mundshëm i bordit i takon Qeverisë, por përgjegjësia bie edhe ndaj Qeverisë së Kosovës për shkak se ishte vet kryeministri Kurti i cili bënte thirrje për rritjen e tarifave dhe e proklamonte atë vendim i cili tani u vërtetua se ishte i jashtëligjshëm”, deklaroi deputeti i AAK-së për Gazeta Blic.

Ndërsa, sa i përket kthimit të parave tek qytetarët e Kosovës, ai thekson se qytetarët duhet të kompensohen për çdo cent që kanë paguar më shumë, derisa shtoi se Qeveria dhe ZRRE duhet tu kërkojnë falje qytetarëve.

“Pas këtij vendimi, Qeveria e Kosovës dhe ZRRE përpos që duhet kërkuar falje, do duhej që menjëherë ta anulojnë menjëherë vendimin e rritjes së tarifave të energjisë elektrike dhe t’i kompensojnë qytetarët për çdo cent që e kanë paguar më shumë”, deklaroi deputeti Pal Lekaj./Gazeta Blic/