Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e parë, pas betimit të anëtarëve që u nominuan nga grupet parlamentare të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, për të diskutuar në lidhje me aktivitetet e KQZ-së.
Anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi është përplasur me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka duke e kërcënuar kryetaren se nuk do të jetë më njëjtë në këtë institucion.
Kurteshi i tha Dakës se nuk është kredibile që të udhëheq me KQZ sepse sipas tij ajo ka përkatësi politike.
“Po kërceni si biberi në pasul… Unë po them ky votim është politik përpjekje për atë që ka qenë, nuk mbrohet kështu… Dhe këto vendosen vetëm kur të jetë përbërja e plotë e KQZ’së”, tha Kurteshi.
“A bon me ditë çka keni”, iu kundërpërgjigj Daka. “Moti e keni hup me sjelljen që e keni”, vazhdoi ajo.
“Ju po doni me dështu KQZ për shkak të përkatësisë politike… Ju nuk dini me mendu si unë”, vazhdoi të fliste më zë të lartë Kurteshi.
Aktualisht përbërja e re e KQZ-së ka dy anëtarë më pak, pra 9 nga 11, pasi Presidentja e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Vetëvendosje pretendon se këtij subjekti i takojnë tre anëtarë në KQZ. Presidentja e vendit i ka emëruar vetëm dy prej kësaj partie, por njëjtë nuk ka vepruar me PDK-në, ndonëse kjo parti e kishte dërguar propozimin e dytë. Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti se “përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese po tentojnë që t’ia vjedhin PDK-së përfaqësimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ia ka dhënë Kushtetuta”.
Sipas PDK-së, Presidentja Osmani po tenton t’i bëjë vend në KQZ anëtarit të tretë të Vetëvendosjes, e që në këtë rast emri i tretë i propozuar nga ky subjekt politik është ish-kandidatja për deputete nga radhët e subjektit politik të Osmanit, Lista “Guxo”, Gresa Bytyqi Kelmendi.
Po ashtu, Presidentja e vendit nuk ka emëruar as anëtarin e subjektit më të votuar nga radhët e komunitetit boshnjak, VAKAT-it, edhe pse ky subjekt e kishte dërguar propozimin. Presidentja Osmani nuk ka marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, por numrin e deputetëve që kanë tri subjektet politike boshnjake. Ajo ka kërkuar sqarime lidhur me “emërimin e përfaqësuesit nga komuniteti boshnjak kur kemi tri subjekte politike në Kuvend të cilat e përfaqësojnë këtë komunitet dhe kanë numër të barabartë të deputetëve të përfaqësuar në Kuvend”.


