Lajme

Kur pritet të nisin punën kryetarët e komunave që fituan në raundin e parë dhe cilat janë procedurat- Gazeta Blic sjell detaje (dokument)

10/25/2021 10:47
nga:N M

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sipas të gjitha gjasave nesër mund të dal me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që janë mbajtur me 17 tetor, për kryetar të komunave.

Në rast e nuk ka ankesa nga subjektet politike apo edhe ndonjë kandidat për kryetar të komunave, rezultatet mund të certifikohen brenda kësaj jave.

Por, kur mund të nisin punën kryetarët që kanë fituar në raundin e parë dhe cilat janë procedurat.

Bazuar në ligjin për vetëqeverisje lokale, neni 42 e qartësohen në detaje procedurat dhe afatet kur një kryetari i zgjedhur qysh në raundin e parë mund të nis punën.

“Mbledhja inaguruese e Kuvendit të Komunës thirret nga kryetari (aty ku është zgjedhur) brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”, thuhet në neni 42.2 të ligjit për qeverisje lokale.

Por mbetet në diskrecionin e kryetarëve që janë zgjedhur në raundin e parë se kur mund të thërrasin mbledhjen inauguruese, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Për shembull, një kryetar komune i zgjedhur, mund të thërras mbledhjen e Kuvendit qysh ditën e nesërme, pas certifikimit të rezultateve, pa pritur afatin ligjor që kjo procedurë të kryhet brenda 15 ditësh bazuar në ligj.

Ndryshe, sot është afati i fundit kur Gjykata Supreme do të vendos nëse Hani i Elezit do të shkoj në rivotim, pas ankesave që ka bërë kandidati i pavarur në këtë komunë Rufki Suma, e që ishin aprovuar nga Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Mitrovica, Skenderaj, Peja, Lipjani, Ferizaj, Suhareka, Deçani janë vetëm disa nga ku kandidatët e subjekteve të ndryshme politke kanë fituar qysh në raundin e parë me 17 tetor.

Raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet me 14 nëntor ku dhjetëra komuna kanë shkuar në balotazh meqë asnjëri kandidat i partive të ndryshme politke nuk kanë arritur të sigurojnë 50 plus 1 të votave.