Lajme

“Kur njerëzit kanë shpresë, shpenzojnë më shumë sesa kursejnë”

07/15/2022 18:29
nga:Gazeta Blic

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se kur qytetarët kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë.

I pari i ekzekutivit ka shtuar se kur qytetarët e një vendi shohin se nuk ka korrupsion në Qeveri, kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat.

“Kur njerëzit kanë shpresë atëherë shpenzojnë më shumë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat, tha ai, gjersa si arsye të qëndrueshme për investime në Kosovë përmendi pozitën e favorshme gjeografike, popullatën e re, kreative dhe të talentuar, njohjen e mirë të gjuhës angleze, shtrirjen e gjerë të rrjetit të internetit e politikën stabile fiskale”, citohet të ketë thënë Kurti në një takim me ministrin e jashtëm polak, njëherësh kryesuesin e OSBE-së, Zbigniew Rau, të premten, njofton Qeveria përmes një kumtese për media.

Deklarata e Kurtit vjen në kohën kur vendi po përballet me inflacionin ndër më të mëdhenjtë ndër vite.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në qershor, norma vjetore e inflacionit, e matur në krahasim me qershorin e vitit të shkuar, ishte 14.1 për qind.