Ndryshe nga partitë e tjera, Lëvizja Vetëvendosje akoma nuk i ka bërë publike kandidaturat e saj për kryetarë komunash.
“Gazeta Blic” ka kontaktuar me drejtuesin e zyrës për media të VV-së, Arlind Manxhuka, për ta pyetur se kur pritet të bëhen publike kandidaturat për kryetarë komunash nga subjekt politik.
Manxhuka ka thënë se janë brenda afateve ligjore dhe sapo të jenë gati kandidaturat do të bëhen publike.
“Ende nuk jemi në atë fazë dhe sapo të vijnë kandidaturat do ta njoftojmë opinionin publik. Jemi konform datave dhe afatave të përcaktume kështu që nuk jemi me vonesa në raport me kandidaturat tona nëpër qytete. Sapo të jemi në fazën e përcaktimit të kandidatëve sigurisht që do ta njoftojmë opinionin publik dhe anëtarsinë” tha Manxhuka për “Gazeta Blic”
Dy ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur edhe mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku u përmend edhe çështja e kandidaturave.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, mbajti një fjalim ku dha edhe një mesazh se askush nuk duhet të vetëshpllat dhe vetëkandidohet.
“Fushatat negative duhet të ndalen, ashtu siç duhet të ndalen edhe vetëshpalljet apo vetëkandidimet, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga kryesia e Lëvizjes. Mbështetja jepet vetëm në mënyrë statutore, demokratike dhe institucionale, nuk është mbështetje një fotografi apo një takim diku” tha Kurti para anëtarëve të Këshillit.
Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, ka komentuar fjalimin e Kurtit të mbajtur në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së.
Alija tha se ky komunikim i Kurtit vjen pasi VV-ja është rritur shumë dhe brenda saj ka edhe grupacione të caktuara duke dhënë mesazh që duhet të përqendrohen tek aktivisti dhe jo tek kulti i individit.
“Vetëvendosje pas marrjes së pushtetit në qendër është zgjeruar edhe si përmbajtje edhe si funksione, si Lëvizje. Kjo pastaj ka shfaq probleme të tjera që janë brenda strukturës së Lëvizjes Vetëvendosje që janë apetitet e ndryshme dhe menaxhimi me grupet e interesit që janë brenda. Zgjerimi i tillë i VV-së me ardhjet e reja dhe me bashkimin e figurave të caktume në VV padyshim që ka kriju edhe grupacione të caktume. Për ti menaxhuar të gjitha këto pakënaqësi apo interesa brenda subjektit politik, padyshim këtë më së miri e ka shpërfaqëur fjalimi i zotit Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku bën thirrje që kandidaturat ose ideja e komplet Lëvizjes Vetëvendosje duhet të përqëndrohet tek aktivisti dhe jo tek kulti i individit dhe personave”
Tutje Alija dha edhe disa arsye pse janë vonuar të bëhen publike kandidaturat e VV-së për zgjedhjet lokale.
“Lëvizja Vetëvendosje është para një sfide që për herë të parë do të tentojë ta kalojë këtë fazën e tentimit të pushtetit me qeverisjen lokale që i bie në komuna. Performanca në të gjitha komunat ka qenë shumë e dobët në kuptimin e garës elektorale, përpos Prizrenit dhe Prishtinës, VV-ja nuk ka arritur të fitojë komuna të tjera. Duhet patur shumë kujdes nga VV-ja se cilat figura do t’i vendosë për kandidatë për kryetarë komunash. Duke i bashkuar krej këto elemente, menaxhimin me rritjen e struktuarave apo interesave që vijnë si rezultat i rritjess ë VV-së dhe e kombinume kjo edhe me zgjedhjen e kandidatëve të duhur ta kenë fuqinë që të zgjidhen për kryetarë komunash apo të shkojnë balotazh, dhe kjo merr kohë. Fitim i shumicës së komunave në zgjedhjet lokale do t’i shërbente si shtysë tjetër shumë e rëndësishme që ta mbante pastaj pushtetin në qendër por jo domosdoshmërisht janë të lidhura” tha Alija për “Gazeta Blic”.
Përfundon mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, këto janë temat që u diskutuan


