Katër komunat veriore për gjysmë mandati sa u drejtuan nga kryetarë të komunitetit shqiptar, nuk patën Komandantë të Policisë në atë rajon.
Kjo sepse të gjithë ata nga komuniteti serb dhanë dorëheqje duke kundërshtuar pikërisht qeverisjen lokale shqiptare.
Por tash, meqë Mitrovicën e Veriut, Zvecanin, Zubin Potikun e Leposaviqin e riktheu Lista Serbe, pritet që në bazë të Marrëveshjes së nënshkruar në 2013-tën në mes Kosovës e Serbisë, të propozohet një komandant i Policisë nga komuniteti serb.
Një hap i tillë nuk ka nisur akoma por kur do që përfundon kjo procedurë, sipas zv.drejtorit të Policisë për rajonin e Veriut nuk do të ndryshoj gjendjen e këtij institucioni në atë zonë.
“Kush do që është komandant stacioni, ne e kemi largu edhe etninë edhe kur raportojmë rastet sepse janë shumë të parëndësishme për neve andaj kush do që është komandant ai e ka hierarkinë e vet, vertikale. Që dmth, drejtori rajonal i jep përgjegjësi, drejtorit të departamentit për operacione, Arbnesh Ajvazit, ai Drejtorit të Përgjithshëm, Gazmend Hoxhës dhe çdo hap që merret, zbatohet Ligji i Rep. së Kosovës”, ka thënë Veton Elshani.
Ndërsa ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, Nedzad Ugljanin beson që ky proces do të përfundoj në pranverën e 2026-tës.
Ai thotë se dorëheqja e ish-eprorëve serbë të Policisë ka ulur ndikimin e Beogradit në atë pjesë.
“Qetash janë rrethanat ndryshe sepse sic e dini ata njerëzit që kanë punu në strukturat policore e kanë braktisë punën dhe ata kanë qenë nën ndikim të Beogradit kurse tash janë gjeneratat e reja dhe nuk i kanë njerëzit adekuat nga territori i vet sepse edhe kur ka qenë konkursi, ka pas shantazhime e kërcënime”, ka thënë Ugljanin.
Më 19 prill 2013, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nënshkruan marrëveshjen për normalizim raportesh, e një ndër pikat parashihte edhe zgjedhjen e eprorëve të policisë në veri, sipas së cilës komandanti i këtij rajoni është serb, që nominohet nga MPB, prej një liste që e dërgojnë kryetarët e katër komunave veriore.


