Dialogu Kosovë-Serbi duket të jetë ende larg një marrëveshje.
Ende nuk dihet se kur do të jetë takimi i radhës në nivel të lartë, në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.
E së fundmi, gjatë raportimit të tij për dialogun, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se janë në harmoni për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të dyja shteteve.
Të vështirë arritjen e një marrëveshje finale e sheh hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli.
Në një prononcim për Gazeta Blic, ajo ka thënë se kjo nuk mund të pritet derisa palët nuk diskutojnë fare për elementet e kësaj marrëveshje.
“Është vështirë të pritet arritja e një marrëveshje finale përderisa Kosova dhe Serbia nuk janë duke diskutuar fare mbi elementet e marrëveshjes finale. Në dy vitet e fundit ka pasur diskutime vetëm për çështje teknike të cilat janë trashëguar nga marrëveshjet e kaluara të dialogut. Edhe zgjidhja e këtyre çështjeve padyshim që është e rëndësishme por palët duhet që sa më parë t’iu kthehen edhe diskutimeve mbi marrëveshjen finale”, u shpreh ajo.

Sipas Haxhollit, është vështirë të thuhet se kur mund të arrihet marrëveshja finale, derisa shton se më me rëndësi se kjo është përmbajtja e saj.
“Se kur mund të arrihet një marrëveshje finale është vështirë të thuhet pasi palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta pothuajse për të gjitha çështjet. Në këtë drejtim më me rëndësi se afati është përmbajtja e marrëveshjes e cila duhet të jetë përmbajtësore, e qartë dhe e zbatueshme”, deklaroi hulumtuesja nga KDI për Gazeta Blic.
Ndërsa, sa i përket takimit të nivelit të lartë, ajo tha se nuk dihet se kur mund të mbahet një takim i radhës por natyrisht se kjo është me rëndësi dhe se të dyja palët duhet të takohen.
“Pra liderët e të dyja vendeve duhet të vazhdojnë takimet dhe përpjekjet për arritjen e marrëveshjeve për të gjitha çështjet”, potencoi Violeta Haxholli./Gazeta Blic/


