Lajme

Kundërshtohet ndërrimi i objektit të shkollës “Asim Vokshi” në Prishtinë, protestojnë prindërit

10/09/2025 17:54
nga:Sh R

Është mbajtur sot protestë në shenjë revolte nga prindërit, nxënësit si dhe mësuesit e shkollës “Asim Vokshi” në Prishtinë të cilët kundërshtuan vendimin e komunës për zhvendosjen e tyre në shkollën “Zenel Hajdini”.

Protesta, u zhvillua jashtë ambienteve të shkollës së re. Shqetësimi këtyre prindërve ishte siguria e fëmijëve gjatë rrugës drejt shkollës së re.

Sipas tyre, distanca e madhe dhe rruga e pasigurt rrezikojnë jetën e nxënësve çdo ditë.

Sipas këtyre prindërve, situata u bë edhe më alarmante pasi vetëm një ditë më parë një fëmijë është aksidentuar gjatë rrugës për në shkollë.

Protestuesit kërkuan kthimin e mësimit në objektin e vjetër deri në gjetjen e një zgjidhjeje të sigurt dhe të qëndrueshme. Ata shprehen të shqetësuar për organizimin e mësimit në objektin e ri, përfshirë ndarjen e klasave, largimin e disa mësuesve dhe mungesën e kushteve të përshtatshme për zhvillimin normal të mësimit.