Lajme

Kundër-Korrupsioni nis hetimet ndaj Luan Dalipit

03/24/2022 13:35
nga:Astrit Gashi

Luan Dalipi është vënë në hetime nga Agjencia Kundër-Korrupsionit mbi dyshimet për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.

Dalipi dyshohet se nuk e ka deklaruar pranë AKK-së pronësinë e tij mbi tri biznese private, në formularin e plotësuar vitin e kaluar.

Agjencia, në një përgjigje me shkrim për Periskopin të enjten, tha se ndodhet në proces të verifikimit të informatave lidhur me veprimet e dyshuara të Dalipit.

“Ju njoftojmë se Agjencia kundër Korrupsionit, nga monitorimi i rregullt i mediave ka identifikuar informatat lidhur me Biznesin e zyrtarit të apostrofuar, dhe rrjedhimisht është duke verifikuar rastin nga departamentet përgjegjëse”, tha AKK-ja të enjten.

Rreth dy javë më parë, AKK-ja konfirmoi hetimet të cilat po vijojnë ndaj kryediplomates Donika Gërvalla.

Gërvalla, po ashtu dyshohet për mosdeklarim të pasurisë.