Kombëtarja e Kosovës dëshpëroi mbrëmë ndaj Andorrës, pasi mori veç një barazim me rezultatin 1-1.
Kosova u ndal në stadiumin “Fadil Vokrri” nga autsajderi i grupit, duke shkaktuar kështu një problem që nuk duhet ishte, pasi vetëm tre pikët ishin qëllim – sepse i kemi vendosur vetes një objektiv si ai i kualifikimit në Europian, teksa tani kemi veç dy pikë në dy ndeshje.
Ish futbollisti i njohur kosovar, tashmë trajneri, Liridon Kukaj thotë se barazimi ndaj Andorrës ishte i papritur, teksa lë të kuptohet se u nënvlerësua kundërshtari.
“Një rezultat shumë i papritur për ne duke u bazu në rezultatet e mëparshme të kundërshtarit. Në futboll nëse një kundërshtar nënvlerësohet atëherë do të kesh probleme të mëdha. Lojtarët tanë deklaronin se do të futemi vetëm për fitore dhe nuk e mendojmë asnjë rezultat tjetër, por ndodhi që nuk mundëm t’i marrim tre pikë te cilat do të na mbanin në garë për kualifikim, nuk po them se i kemi humbur gjasat pasi ka shumë pikë në lojë dhe nuk i dihet deri në fund”, tha Liridon Kukaj për ‘GazetaBlic Sport’.
Sipas Kukajt, lojtarëve iu mungoi edhe qetësia para portës në momente të caktuara.
“Kur kerkohet rezultat i mirë kundër një kombëtare siç ishte Andorra, atëherë duhet ekipi të përgatitet mirë dhe t’i mendoj të gjitha situatat të cilat mund të vijnë gjatë ndeshjes. Lojtarët tanë u munduan shumë të arrinin deri te goli dhe në momente iu mungoi qetësia para portës së kundërshtarit, në momentin kur shenuam atëherë menduam se mbaroi gjithçka, por nga një pakujdesi pësuam dhe ekipi ra moralisht, kurse kundërshtari fitoi vetëbesim, ku dhanë gjithçka nga vetja për ta mbrojtur atë rezultat”, vazhdoi Kukaj.
Ai thotë se tani duhet të mësojmë nga ky lëshim dhe të kthehemi tek fitorja në ndeshjet e radhës.
“Besoj se dje na mungoi qetësia në momente të caktuara. Uroj që perfaqesuesja jonë të këndellet, të mesojmë nga ky lëshim dhe të tregojmë në ndeshjet e radhës që ne mundemi dhe kemi cilësi mbrenda që të fitojmë dhe pse jo të kualifikohemi”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


