Sporti

“Kujdes, Liverpooli ekip i madh”, Gasperini flet me rezerva para ndeshjes së kthimit

04/17/2024 17:21
nga:Lorik J

Atalanta luan të enjten sfidën e kthimit përballë Liverpoolit. Skuadra nga Bergamo është afër gjysmëfinaleve të Europa League pas suksesit historik 0-3 në “Anfield”, por Gian Piero Gasperini nuk e cilëson të mbyllur çështjen e kualifikimit.

“Do të luajmë sikur të kishte dalë 0-0 ndeshja e parë, është një gabim që nuk duhet ta bëjmë nëse mendojmë për rezultatin në Angli.

Liverpooli është një skuadër madhështore, ndër më të fortat në botë. Duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Duhet të zbresim në fushë me mendimin për të shënuar.

E kemi të qartë se në futboll ndodhin përmbysje edhe brenda pak minutave. Do të marrim një nxitje të madhe nga tifozët, ka shumë emocione në qytet.

Ai që dukej si një mision i pamundur, tani është i mundur. Edhe pse është ende e vështirë… Ne besojmë te kualifikimi. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm dhe të lumtur të sezonit.

Nëse kualifikohemi do t’u hedh tifozëve xhaketën time…

Liverpooli ka një identitet të veçantë. Dhe unë pres të përballemi me versionin e tyre më të mirë.

Ata janë gati për një ndeshje të madhe, ndërkohë që ne duhet ta fokusojmë në kokë që Liverpooli mund të mposhtet. Është një ndeshje historike për Atalantën”, u shpreh trajneri i ekipit nga Bergamo./s