Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është duke hetuar çështjet që ndërlidhen me kufizimin e komunikimeve për të akuzuarit pranë Gjykatës Speciale në Hagë. Në një përgjigje të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, mbrojtja e Thaçit tha se do të dorëzojë vërejtjet relevante pas përfundimit të të gjitha hetimeve.
Nevenka Tromp, ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, thotë për Radion Evropa e Lirë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë, do të rikthejë në diskutim narrativën se “të gjitha gjykimet kundër shqiptarëve të Kosovës dështojnë për shkak të frikësimit të dëshmitarëve”.
Çfarë ndodhi?
Më 23 nëntor, trupi gjykues urdhëroi kufizimin e përkohshëm të kontakteve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, duke ndaluar çdo vizitë nga njerëz jo të privilegjuar. Aktualisht, vizitat lejohen vetëm për ekipin e mbrojtjes.
Vendimi pasoi kërkesën e Prokurorisë që t’i kufizojë vizitat për shkak të “përpjekjeve për të penguar procesin gjyqësor”.
“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur dhe/ose duke shpërndarë përmbajtjen e dëshmive konfidenciale personave që i vizitojnë ata në Qendrën e Paraburgimit”, tha kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, në parashtrimin drejtuar trupit gjykues.
“Regjistrimet tregojnë se Thaçi ka abuzuar vazhdimisht me vizita jo të privilegjuara, ka dhënë udhëzime se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe i ka udhëzuar vizitorët të kontaktojnë me dëshmitarët në emër të tij”, shtohet në parashtrimin e prokurorisë.
West kërkoi pezullim të komunikimeve jo të privilegjuara, përfshirë vizitat [personalisht apo me zoom], telefonatat, komunikimet me shkrim, si dhe kërkoi monitorim aktiv të të gjitha komunikimeve që mund t’i bëjnë të akuzuarit.
Sipas prokurorisë, tre të akuzuarit kanë zbuluar identitetin e disa dëshmitarëve të mbrojtur gjatë vizitave që kanë pasur në qendrën e paraburgimit.
Në dokumentin e prokurorisë thuhet në disa raste, të akuzuarit u kanë thënë vizitorëve që t’i udhëzojnë dëshmitarët e mundshëm se çfarë të thonë kur të dëshmojnë në sallën e gjyqit.
Çfarë tha Gjykata?
Gjykata Speciale, apo Dhomat e Specializuara, ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurorisë, duke ndaluar çdo vizitë nga njerëz jo të privilegjuar.
Sipas vendimit të trupit gjykues, informacioni i vendosur para panelit sugjeron se ekziston rrezik real që informacionet konfidenciale të zbulohen nga individë që nuk kanë të drejtë t’i marrin ato.
“Zbulimi i paligjshëm i një informacioni të tillë mund të ndikojë negativisht në mbrojtjen efektive të viktimave dhe dëshmitarëve dhe integritetin e procedurave”, tha trupi gjykues në vendimin e përkohshëm.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, gjatë një takimi të mërkurën me shoqërinë civile dhe mediat në Prishtinë, tha se ky vendim nuk është marrë “pa arsye”.
“Gjykatësit janë duke i marrë shumë seriozisht përgjegjësitë e tyre. Unë nuk jam këtu që t’i mbroj ata, por, më duhet të them se nëse do të isha në vendin e tyre, do të veproja njësoj”, tha Trendafilova.
Ajo bëri të ditur se vendimi përfundimtar lidhur me kërkesën urgjente të ZPS-së për kufizim të komunikimit, do të merret pasi të dëgjohen të gjitha palët.
Sipas saj, vendimi i përkohshëm për kufizim të komunikimeve nuk përfshinë avokatët dhe disa nga familjarët tyre.
“Gjyqtarët do të vendosin se kush nga familjarët e afërt mund t’i vizitojë”, tha Trendafilova duke shtuar se “takimet e tyre [akuzuarve] me avokatët e tyre nuk mund të limitohen apo monitorohen”.
Selia e Gjykatës Speciale u vendos në Hagë në mënyrë specifike për shkak të drojës nga frikësimi i dëshmitarëve, “marrë parasysh që bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për shkak se të dyshuarit e mundshëm, nga pjesë të caktuara të shoqërisë së Kosovës mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, kishte deklaruar Qeveria e Holandës qysh në vitin 2016, kur mori vendimin e saj për ta vendosur këtë gjykatë në këtë shtet. /REL


