Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, thotë se reagimi i Qeverisë për aksionin e këtij subjekti politik, nuk erdhi pasi u ushtrua dhunë nga Policia apo u arrestuan aktivistët, por pas presionit të madh të opinionit publik.
Kuçi thotë se dhuna policore ndaj aktivistëve tregon për fillimin e përndjekjeve.
“Rendet me tendenca totalitare janë të rrezikshme sepse funksionojnë pa nevojën për komandime direkte nga sipër. Dhuna policore është e papranueshme. Qeveria nuk mund të fshihet prapa një reagimi e një suspendimi të policit. Qeveria fshihet prapa një reagimi që flet për të drejtën për protestë, e në njëjtën kohë dhe për të njëjtin parim mbanë të burgosur Kryetarin e PSD-së” shrkuan Kuçi, raporton Gazeta Blic.
Reagimi i plotë:
Çka tregon reagimi i Qeverisë? PSD
Reagimi i Qeverisë nuk erdhi pasi u përdor dhunë nga policia, as pasi u arrestuan aktivistët. Qeveria ka reaguar vetëm pas presionit të madh të qytetarëve dhe opinionit publik.
Prandaj reagimi doli në ora 23:00. Kjo është mënyra e vetme sesi ky pushtet matet. Reagimi është i vonshëm, dhe erdhi prej zorit.
Dhuna policore ndaj aktivistëve tregon për fillimin e përndjekjeve. Ajo merr forma të ndryshme në kohë, por qëllimi është i njëjtë: paqtimi i dallimeve, dëgjueshmëria, disiplinimi.
Policët më të zellshëm në ushtrimin e dhunës janë ata që marrin tagrin moral e politik prej populizmit të Kryeministrit Kurti. Rendet me tendenca totalitare janë të rrezikshme sepse funksionojnë pa nevojën për komandime direkte nga sipër. Dhuna policore është e papranueshme. Qeveria nuk mund të fshihet prapa një reagimi e një suspendimi të policit.
Qeveria fshihet prapa një reagimi që flet për të drejtën për protestë, e në njëjtën kohë dhe për të njëjtin parim mbanë të burgosur Kryetarin e PSD-së.
Por t’i kthehemi përsëri pyetjes qendrore: Pse 5 euro tiketë? Pse po krijohet monopoli? Pse?


