Lajme

Kuçi: Opozita s’po e kupton se Kurti s’është fruth që kalon lehtë

12/30/2025 21:40
nga:Sh R

Zgjedhjet e 28 dhjetorit sollën sërish partinë e Albin Kurtit, Lëvizjen Vetëvendosje, të parën – dhe kësaj radhe, për dallim nga zgjedhjet e shkurtit të këtij vitit, e njëjta ka gjasa të mëdha që ta bëjë qeverinë e vetme.

Natyra Kuçi nga PSD, në Rubikon të Klan Kosova, tha se opozita nuk ka dështuar dje në rezultatin zgjedhor.

Ky lloj i opozitarizmit, sipas saj, ka qenë i destinuar të dështojë.

“Në shkurt 2025, pas rezultatit zgjedhor, u keqinterpretua dhe u keqlexua rezultati zgjedhor. Nëse ra në 42% LVV, shpjegimi politik i opozitës, e edhe në studio televizive, ka qenë që ky kurrë më nuk rritet mbi 40%, dhe ky po mbaron dhe shkoi. Dhe një opozitë e tillë që nuk bën asgjë, përveç që bjen hegjemoni të pushtetit dhe tema të pushtetit, po bojka?”, deklaroi Kuçi.

Ajo tha se është shumë me rëndësi që të kuptohet mirë Kurti dhe çka është autoritarizmi.

“Nëse themi se Kurti është fruth, kalon lehtë dhe e rrëzon veten, qysh ka mëndu përgjithësisht opozita në Kosovë, edhe kur kemi pasur takime private por edhe publikisht, kanë thënë e ose e rrëzon veten ose e rrëzon ambasada. Kjo është mos me e kuptu Kurtin. Kur nuk e kupton çka është Kurti dhe pushteti i tij, atëherë edhe diagnozën ia jep keq”, theksoi anëtarja e PSD-së.