Sporti

Kuç: Na mungoi fati ndaj Plzenit, do ta kërkojmë kualifikimin në Zagreb

11/30/2023 23:14
nga:E K

Ballkani ka pësuar disfatë nga Viktoria Plzen, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e pestë të Grupit C, në Ligën e Konferencës. Kampionët e Kosovës u mposhtën 0:1 nga ekipi çek, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Mesfushori i Ballkanit, Edvin Kuç ka vlerësuar se atij dhe bashkëlojtarëve u mungoi fati ndaj skuadrës çeke.

Kuç theksoi se Ballkani do ta provojë kualifikimin në fazën tjetër, në ndeshjen e fundit kundër Dinamo Zagrebit në Kroaci.

“Me kokën e nxehtë është vështirë për të folur. Kemi përgatitur lojën për ta fituar. Plzeni e ka kaluar grupin dhe ka luajtur pa presion. E kemi ditur që Plzeni është ekip i fortë fizikisht. Në pjesën e parë ka munguar fati për të shënuar. Portieri i tyre 2-3 herë priti tentimet tona, pastaj një lojtar tjetër e largoi topin nga vija e portës. Do ta provojmë kualifikimin në Zagreb. Kemi bërë shumë lojëra dhe nuk kemi presion”, tha Kuç për Art Sport.

“Faktikisht ne shkojmë për të fituar çdo ndeshje. Nuk jemi dorëzuar. Në pjesën e dytë kundërshtari luajti me kundërsulme. Në fund u mposhtëm, por kemi shans dhe do të luftojmë deri në fund. Tani kemi çdo tre ditë lojëra. Na mungoi edhe Ëalid Hamidi dhe Almir Kryeziu që u lëndua në stërvitje. Me ta do të ishim ndryshe sepse në momentin e fundit u desh ta ndryshonim edhe taktikën”, theksoi Kuç