Dy dokumentarë të rinj futen në sagën e Salvator Mundit “të” Leonardo da Vincit, në kohën kur po kulmojnë historitë për krimet në botën e artit, shkruan Caryn James për BBC. Shkrimin e saj Telegrafi e sjell të plotë, si më poshtë.
Diku në Arabinë Saudite, e fshehur me urdhër të Princit të Kurorës, Mohammad bin Salman, gjendet piktura më e shtrenjtë në botë, Salvator Mundi i Leonardo da Vincit. Ndoshta jo! Askush në botën e artit nuk e di me siguri se ku është piktura. Shumica e vëzhguesve pajtohen se ka të ngjarë të jetë fshehur në Lindjen e Mesme, por disa kanë spekuluar se ruhet në një zonë pa taksa në Gjenevë apo në jahtin gjysmë-miliard dollarësh të Princit. Ndoshta kjo nuk është vepër e Leonardos. Imazhi i Krishtit si Shpëtimtar i Botës u cilësua si da Vinci i Fundit në ankandin e vitit 2017, kur u shit për një rekord prej 450 milionë dollarëve tek një përfaqësues i bin Salmanit (po, ai bin Salman të cilin CIA u shpall përgjegjëse për urdhërimin e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi). Por, edhe atëherë, shumë ekspertë të Leonardos ishin të dyshimtë nëse piktura kishte më shumë se disa prekje të furçës së tij, dhe ato dyshime janë shtuar që nga ajo kohë.
E mbuluar me vellon e misterit dhe të intrigave ndërkombëtare, historia e Salvator Mundit është një sagë e vazhdueshme, e pafund dhe magjepsëse, që tregohet në dy dokumentarë të rinj: “Leonardo i humbur” dhe “Shpëtimtari për shitje: Kryevepra e humbur e Da Vincit?”, të cilat kanë dramën dhe tensionin e një historie detektivësh. Ato vijnë pas librit interesant të Ben Lewisit të vitit 2019, “Leonardo i fundit”, dhe dhjetëra artikuj tjerë. Piktura që daton kah viti 1500, humbi në histori për më shumë se 200 vjet; u dëmtua dhe u restaurua keq dhe u shit dhe e rishit si një vepër e vogël, ndoshta nga një ndihmës i Leonardos. Por, tani Salvator Mundi ka famë që ndërlidhet me paratë, pushtetin dhe gjeopolitikën që përcakton botën e artit sot.
“Kur e zgjodhëm titullin”, thotë Andreas Dalsgaard, producent dhe skenarist i “Leonardos së humbur”, “frymëzimi kishte të bënte pjesërisht me faktin se piktura humbi dhe e vërteta humbi, por u frymëzua edhe nga filmat e ‘Indiana Jones’-it që janë plot thesare dhe gjueti thesaresh”.
Rruga drejt fame e mbase Leonardos nisi atëherë kur u shfaq në një shtëpi të dyshimtë ankandi në Nju-Orleans më 2005 dhe kur u ble nga dy tregtarë të Nju-Jorkut për 1175 dollarë. Ata e sollën tek Dianne Modestini, një restauruese e respektuar, që ia hoqi dekadat e njollave dhe bojëra të tepërta, dhe që ishte e para që dyshoi se mund të jetë një Leonardo i vërtetë.
Me narracionin e shkëlqyeshëm dhe një gamë të gjerë zërash nga tregtarët, historianët e artit e deri te gazetarët investigativë, “Leonardo i humbur” është më i miri nga dy filmat dhe përfiton shumë nga përdorimi i Modestinit si personazhi kryesor. Prania e saj në ekran është joshëse dhe elegante, me një zë të qetë dhe sy të gjerë prapa syzeve të zeza ose të kuqe. Ajo kaloi vite të tëra duke e restauruar pikturën dhe e mbron me këmbëngulje vërtetësinë e saj, në detaje të sakta, duke treguar pentimenton nën gishtin e madh të Krishtit ose një lakesë të gojës së tij që mund të ishte vetëm e Leonardos. Por, shumë ekspertë mendojnë se ajo e bëri një restaurim të tepërt e drastik. Në film, historiani i artit, Frank Zöllner, që ka përpiluar një katalog të pikturave të Leonardo, me keqardhje e quan Salvator Mundin si ” kryevepër të Dianne Modestinit”, që e bëri “më Leonardesk sesa Leonardo e kishte bërë”. Nga ana e saj, Modestini e ka dokumentuar punën dhe studimet shkencore të pikturës, dhe i ka publikuar ato në internet.
Shumica e ekspertëve pajtohen sot se piktura ndoshta është prodhuar nga asistentët në punëtorinë e Leonardos, ku ai shtoi disa prekje përfundimtare – një praktikë kjo e zakonshme. Por, pasiguria është çelësi për ta bërë interesant çdo version të historisë, sepse siç thotë Lewis: “Askush nuk e di nëse është një Leonardo, kështu që edhe ju mund të luani lojën, mund ta bëni kodin tuaj da Vinci te Salvator Mundi”.
Cilësia e pikturës i ndan njerëzit. Kritiku amerikan i artit, Jerry Saltz, thotë te “Leonardo i humbur” se “nuk është as pikturë e mirë”, aq më pak një Leonardo i madh, derisa besimtarët e vërtetë mendojnë se ta shohësh atë personalisht është një përvojë transcendente (ndoshta, por në filma dhe imazhet tjera të riprodhuara ka një pamje më shumë neveritëse).
Disa nga komentet që t’i hapin sytë në të dy filmat nuk kanë të bëjnë me artin. Te “Leonardo i humbur”, Evan Beard, një ekzekutiv i Bankës së Amerikës që merret me artin si investim, flet për motivin e blerësve të zakonshëm për të përdorur veprat e artit si kolateral për manovra të tjera financiare. Filmi nuk ka qëndrim mbi atribuimin e pikturës, por e bën të qartë se muzetë, tregtarët dhe blerësit e mundshëm kishin miliona për të fituar – së bashku me prestigjin e pallogaritshëm – duke zgjedhur të besojnë se është një Leonardo i vërtetë.
Një pikë e madhe kthese ndodhi kur piktura u shfaq në mënyrë kontroverse si Leonardo autentik në një ekspozitë të vitit 2011 në Galerinë Kombëtare në Londër. Në të dy filmat, Luke Syson, kuratori i ekspozitës, mbron qëndrimin të tij. Por, shumë ekspertë, para kamerës dhe gjetkë në shtyp mendojnë se doli si përfundim i hershëm. Alison Cole, redaktore e “The Art Newspaper”, ka shkruar shumë për pikturën që e pa në Galerinë Kombëtare. Ajo thotë: “Që atëherë, Dianne Modestini vazhdoi të punonte në të. Por, kur e pashë, nuk m’u duk si autograf i Leonardos”. Sidoqoftë, ekspozita shkoi drejt legjitimimit të një atribuimi të lëkundshëm.
Dy vjet më vonë, disa personazhe hyjnë në lojë. Yves Bouvier, një tregtar zviceran i artit, e bleu pikturën nga tregtarët e Nju-Jorkut për 83 milionë dollarë, thuhet në emër të klientit të tij, të oligarkut rus Dmitry Rybolovlev, megjithëse kjo kundërshtohet nga Bouvieri. Brenda dy ditësh ai ia shiti Rybolovlevit për 127.5 milionë dollarë. Te “Leonardo i humbur”, Bouvieri i zgërdhirë thotë se veprimet e tij janë thjesht biznes, si zakonisht: “Blini lirë e shisni shtrenjtë (autoritetet zvicerane e hetuan atë për mashtrimin e Rybolovlevit për disa vepra arti, por këtë vit e mbylli çështjen pa e ngarkuar atë). Së shpejti, piktura ishte në rrugën e saj drejt shtëpisë së ankandeve, Christie’s.
Shitja nga Christie’s ishte dramë e inskenuar, duke filluar me një video marketingu që tregonte jo pikturën, por fytyrat e vëzhguesve – shumica njerëz të zakonshëm, e njëri prej tyre Leonardo DiCaprio – duke e parë me adminirim imazhin sikur të ishin duke parë vetë Krishtin. Blerësi ishte anonim, por “New York Times” shpejt zbuloi se ai po vepronte për bin Salmanin, një zbulim që e katapultoi pikturën në fushën gjeopolitike. Në atë kohë bin Salmani po përpiqej të lustronte imazhin e Arabisë Saudite duke i hequr disa kufizime. Shumica e vëzhguesve të botës së artit menduan se Salvator Mundi do të ishte qendra e një muzeu të ri ose qendre arti në rajon, por piktura nuk është parë në publik që nga ajo kohë.