Lajme

Kthimi i Ligjit në Kuvend, reagon Abdixhiku: Ligjin e kthyet, por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?

10/22/2026 18:06
nga:L J

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi PDK i ka kërkuar sot Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një postim, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja u fye dhe u cilësua si tradhtare, madje u paraqit edhe si kundërshtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?”, ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku ka vlerësuar se ligji në fjalë nuk kishte dhe nuk do të ketë efekt juridik, ndërsa ka kritikuar edhe përpjekjet për ta vendosur LDK-në përkrah Listës Serbe për shkak të qëndrimit të saj.

Postimi:

Ligjin e kthyet. Por baltën që hodhët mbi LDK-në, ku do ta lini?

Na fyet, na shpallët tradhtarë, shkuat aq larg sa e paraqitët LDK-në si kundërshtare të UÇK-së. I vendosët edhe emrat tanë përkrah atyre të Listës Serbe, sepse thamë atë që nuk donit ta dëgjonit; të vërtetën. Ky ligj nuk kishte dhe s’do të ketë asnjë efekt juridik!

LDK e mbajti qëndrimin e vet, duke e ditur çmimin e sulmeve që do të pasonin. Sepse përgjegjësia ndaj Republikës na obligon ta themi atë që besojmë se është e drejtë, edhe kur është më e lehtë t’i bashkohesh zhurmës.

Mbështetësve tanë u themi qëndroni gjithmonë krenarë! Mund të na sulmojnë nga të gjitha anët, por qëndrimet e LDK-së i kanë qëndruar provës së historisë. Do t’i qëndrojnë sërish! Sepse ato nuk përcaktohen nga vërshimet e momentit, por nga bindjet mbi Republikën. Veç duhet kohë.

Lufta e UÇK-së është e shenjtë.

Ajo mbrohet me punë e me mend. Jo kështu!