Lajme

Kthehet në rigjykim çështja e kompleksit afaristo-banesor në “Lakrishtë”

01/30/2026 23:45
nga:Mergim Rreci

Gjykata Komerciale e Kosovës, në shkallën e dytë, ka vendosur ta kthejë në rigjykim çështjen që lidhet me ndërtimin e një kompleksi afaristo-banesor në lagjen “Lakrishtë” në Prishtinë.

Vendimi është konfirmuar nga kryeasamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, i cili e ka cilësuar atë si një fitore për interesin publik dhe qytetin.

“Sot u vërtetua ajo që bëmë në qershor të vitit 2023. Si udhëheqës i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë dhe ish-anëtar i Komisionit të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), morëm vendimin për të ndalur pasojat e një kontrate që ishte lidhur me kompani private të krijuara vetëm një muaj para shpalljes së tenderit, të cilat do të përfitonin pronë publike milionëshe për ndërtim,” ka shkruar Retkoceri në Facebook, duke publikuar edhe vendimin e Gjykatës Komerciale.

Në një postim të publikuar të premten në mbrëmje, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se vendimi përbën konfirmim të drejtësisë dhe të angazhimit të institucioneve lokale për mbrojtjen e pronës publike.

“Vendimi i Dhomave të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale përbën një konfirmim të plotë të drejtësisë dhe të angazhimit të Kryeqytetit për mbrojtjen e pronës publike,” ka shkruar Rama, duke shtuar se për katër vjet institucionet komunale kanë insistuar se kontrata mes NPB-së dhe investitorëve privatë ka qenë e paligjshme dhe e dëmshme për interesin publik.

Në shkallën e parë, Gjykata Komerciale kishte vendosur në favor të kompanive “Made Group Construction SHPK”, “Arkos SHPK” dhe “Madekos SHPK”, duke i hapur rrugë ndërtimit të kompleksit në tokë komunale me vlerë të vlerësuar mbi 120 milionë euro.

Këtë vendim e kishin kundërshtuar partitë kryesore parlamentare, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).

LVV në Prishtinë kishte ngritur padi në tetor të vitit 2022, duke kërkuar anulimin e kontratës dhe vendosjen e masave të sigurisë, me pretendimin se Ndërmarrja Publike Banesore dhe kompanitë private kishin kryer shkelje serioze gjatë realizimit të projektit.

Në qershor të vitit 2023, NPB-ja, e cila në atë kohë udhëhiqej nga PDK-ja, e anuloi kontratën. Vendimi u kundërshtua nga kompanitë private, të cilat më pas fituan rastin në shkallën e parë të Gjykatës Komerciale.