Lajme

Shoqërohet në polici Aleksandar Arsenijeviq – i shqiptohen dy tiketa dhe i konfiskohen targat

12/07/2023 15:00
nga:N K

Është arrestuar në veri politikani serb Aleksandar Arsenijeviq.

Rasti e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Elshani tha se Arsenijeviq, është arrestuar për shkak të mosbindjes së urdhrave policore.

“E keni shoqëriar deri në stacion, ku i janë dhënë dy tiketa. Njëra për moszbatim të urdhërave të Policit e tjetra për mungesë regjistrimi të automjetit”, tha Elshani.

Ai theksoi se politikanit serb i janë konfiskuar targat dhe i njëjti është liruar.

Një pasagjer që e ka shoqëruar Arsenijeviqin në automjet në momentin e arrestimin e ka filmuar ngjarjen.

Aty dëgjohet politikani i ri serb nga veriu i Kosovës të debatojë me pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u thënë se ai nuk ka qenë duke e vozitur automjetin, por vetëm duke qëndruar në parking.

Polici ndërkaq dëgjohet duke diskutuar me një polic tjetër, duke i thënë se Arsenijeviq ka qenë duke e ngarë automjetin në momentin kur është ndaluar nga zyrtarët policorë.

“Ju duhet të mësoheni ta respektoni policinë, dhe do të arrestohesh”, i thotë polici Arsenijeviqit, teksa shton se “presin nga ti të jesh më i mirë me ne, ta dish se ne jemi persona zyrtarë”.

Arsenijeviq u thotë se “kush nuk po e pranon” që ju nuk jeni persona zyrtarë, teksa ankohet që nuk po e kupton gjuhën shqipe.

Ai tenton të dalë nga situata duke u thënë policëve se është para shtëpisë së tij, por polici i thotë se je parkuar në trotuar dhe se në asnjë mënyrë nuk lejohet parkimi në trotuar.