Lajme

Kryeziu: Thelbi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë është Asociacioni

01/31/2023 21:26
nga:G B

Analistja politike, Laura Kryeziu, është shprehur se thelbi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një marrëveshje ndërkombëtare që tashmë është pranuar nga Kosova më 2013 dhe siç tha ajo, takimi i thirrur sot nga Ambasada Amerikane në Prishtinë do të duhej të thirrej nga Qeveria e Kosovës.

“Është një marrëveshje ndërkombëtare që tashmë është pranuar nga Kosova më 2013 dhe sot do të uroja që të kemi këtë takim që e ka thirrur Ambasada Amerikane, ta thërriste kryeministri i Kosovës dhe në një formë të shohim një qasje më proaktive nga ana e qeverisë sepse realiteti është që ne jemi duke hyrë në një prej udhëkryqeve shumë të rëndësishme të shtetndërtimit dhe kjo është pjesa e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, të hapet rruga euroatlantike dhe kërkohet seriozitet pak më i madh, pra ky takim do të duhej të thirrej nga qeveria”, është shprehur Kryeziu në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, ajo tha se qeveria duhet të ketë qëndrim të qartë se a do ta pranojë asociacionin apo jo, teksa shtoi se ShBA-të i kërkojnë qeverisë që të hedh një hap në procesin e themelimit të Asociacionit.

“Prej takimit të Ambasadës Amerikane, ShBA-të na tregojnë që janë aleati i përhershëm në procesin e shtetndërtimit dhe besoj që strategjikisht, ShBA-të kërkojnë nga qeveria jonë që të hedh një hap përpara që ata të fillojnë draftimin e statutit të asociacionit dhe të ketë një version të këtij asociacioni para marrëveshjes finale”.

“Dhe, nëse e lëmë këtë çështje të hapur, atëherë i lëmë të hapura edhe diskutimet për modulet e ndryshme si të hapura”, është shprehur Kryeziu.