Sporti

Kryeziu: Prishtina është në rrugën e duhur drejt pjesës së dytë të sezonit

01/23/2026 11:17
nga:Mergim Rreci

Kapiteni i FC Prishtinës, Leotrim Kryeziu, ka folur për faqen zyrtare të klubit gjatë fazës përgatitore që skuadra po zhvillon në Antalia të Turqisë.

Ai ka vlerësuar lart punën e bërë deri më tani, atmosferën pozitive brenda ekipit si dhe kushtet ideale që po shfrytëzohen në këtë fazë të rëndësishme para vazhdimit të kampionatit.

“Po punojmë shumë mirë dhe gjithçka po ecën sipas planit. Atmosfera brenda ekipit është tejet pozitive, ndërsa kushtet që kemi në dispozicion janë ideale dhe na mundësojnë të japim maksimumin në çdo seancë stërvitore. Edhe puna e stafit teknik është në nivel të lartë. Po konsolidohemi çdo ditë e më shumë, sidomos pas afrimeve të reja, të cilat do të jenë një ndihmë e madhe për pjesën e dytë të kampionatit. Do t’i shfrytëzojmë maksimalisht edhe ditët në vazhdim për t’u përgatitur sa më mirë. Jam optimist dhe besoj se jemi në rrugën e duhur.”

FC Prishtina është e akomoduar në Antalia që nga data 15 janar dhe do të qëndrojë atje deri më 31 janar, ku do të përmbyllë fazën përgatitore në Turqi, për të vazhduar më pas rrugëtimin në pjesën pranverore të kampionatit.