Lajme

Kryeziu: Në VV ka figura që nuk hezitojnë të distancohen nga Kurti

01/19/2023 22:49
nga:Astrit Gashi

Analistja politike, Laura Kryeziu, ka thënë se në Lëvizjen Vetëvendosje ka figura politike që nuk hezitojnë të distancohen nga qëndrimet e Albin Kurtit.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ajo e ka vlerësuar lirinë e mendimit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca i cili sipas saj, është distancuar nga qëndrimi i kryeministrit Albin Kurti për politikanin serb Oliver Ivanoviq.

“E gjithë ajo që na ka ndodhur neve historikisht në lidhje me Serbinë dhe të kthehemi me një video për Ivanoviqin i cili dihet që ka udhëhequr grupe kriminale siç janë rojat e urës në Mitrovicë; atëherë natyrisht se ky reagim ishte jashtëzakonisht me vend prej të gjithëve”.

“Çka është befasuese, sidomos sot që deputetët e opozitës vendosën që t’ia adresojnë këtë pyetje Konjufcës, i cili shumë herë më pëlqen në integritetin e mendimit që ka dhe i cili nuk u mundua t’i ikë qëndrimit të tij dhe të vërtetës sepse ne nuk mund të jemi rezistent ndaj fakteve”.

“Kjo tregon se megjithatë në VV përveç se kemi Albin Kurtin, kemi edhe disa figura të vjetra politike apo bashkëthemelues të cilët nuk hezitojnë të distancohen shumë shpesh nga qëndrimet e Kurtit”.

“Unë mendoj se ai e bëri të qartë distancimin derisa në fund u mundua që ta japë një perspektivë personale ku deshi ta arsyetojë kryeministrin”.