Rritja e numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë ka bërë që Qeveria e Kosovës ta konsiderojë mbështetjen për punëtorët shëndetësor.
Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit u vendos që të ndahen 5.5 milionë euro për pagën shtesë prej 10 për qind të pagës bazë për punonjësit në këtë sektor.
Kurse, nënkryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Bajram Kryeziu tha në Klan Kosova se kjo masë është e pamjaftueshme për ta rregulluar mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë.
Kryeziu tha madje se ky vendim është në kundërshtim me vendimin paraprak të qeverisë.
“Kjo masë nuk është diçka që e rregullon shëndetësinë,sidomos në mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë” – tha Kryeziu.
“Vet vendimi i marrë është në kontraditë me vendimin e kaluar. Ministri Murati herën e kaluar pati thënë 10 për qind të pagës bazë por jo nën 60 euro. Ndërkaq këtu me këtë vendim do të kemi degradim të stafit të mësëm të cilët do të marrn diku rreth 37 euro, ndërkaq mjekët do të marrin nga 60 euro”, tha ai.


