Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, me anë të një postimi në rrjetin social, Facebook, ka thënë se vendimi qeverisë për lejimin e votimit të qytetarëve serb në zgjedhjet e 3 prillit, ka mundur të ishte mundësi e modaliteteve deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.
“Shtetet demokratike jo vetëm përdorin praktika por dhe promovojnë vlera të reja të cilat avancojnë zhvillimin e të drejtave civile dhe politike të qytetarëve të saj përtej praktikave dhe vlerave që njohin popujt, shkroi ai”.
Kryeziu më tutje tha se Kosova karshi qytetarëve të saj serb me shtetësi të dyfishtë kishte instaluar një praktikë të tillë, e cila do të mund të shërbente si shembull edhe për shtete me demokraci të qëndrueshme.
“Qeveria Kurti nëse në parim e ka pranuar mundësinë e pjesëmarrjen e qytetarëve serb të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë atëherë nuk do duhej ta thente atë me arsyetimin se nuk janë të kënaqur me nivelin e komunikimit përmes zyrave ndërlidhëse apo ministrive të punëve të jashtme”, shkroi Kryeziu.
“Kosova dhe Serbia janë dy shtete të cilat nuk i kanë marrëdhëniet ndërfqinjësore në nivelin më të mirë dhe deri në një marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse s’do duhej dhënë “rol vendimtar” nivelit të shkëmbimit te letrave. Askush, duke përfshirë edhe shtetet e QUINT-it, nuk kanë dilema për shtetësinë e Kosovës. Por, Kosova gjendet në një situatë ndryshe nga shtetet tjera të cilat gjithashtu nuk i kanë marrëdhëniet e mira me fqiun tonë verior. Vlerat e demokracisë të cilat ne mund t’i promovojmë si shtet, nuk duhet të mbesin peng të formave dhe praktikave botërore por shprehje e vullnetit tonë dhe vlerë shtesë për demokracinë dhe të drejtat civile e politike”, theksoi Kryeziu.


