Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, se formimi i Asociacionit është detyrë urgjente për Kosovën.
Ai tha se marrëveshjet të cilat kanë dalë nga procesi i dialogut duhet të jenë të zbatueshme nga të dyja palët.
Kryeziu tha se qeveria Kurti ka tendencë që të krijojë një “status qou” sa i përket obligimeve për Asociacionin.
Ai potencoi tutje se kjo është e dëmshme për interesat shtetërore të Kosovës.
“Marrëveshjet te cilat kanë dalë nga procesi i dialogut, janë obligative dhe duhet të jenë të zbatueshme nga të dyja palët. Deklaratat e ambasadorit amerikan janë në frymën e këtyre obligimeve që ka shteti i Kosovës. Deri sa qeveria Kurti po duket se ka tendencë pavarësisht këtyre obligimeve të cilat rrjedhin dhe nga marrëveshja e Ohrit të krijojë një statusqouu në obligimet për asosacionin, e kjo besoj përveç ndonjë benefiti populist e elektoral, është e dëmshme për agjendat dhe interesat shtetërore të Kosovës” deklaroi Kryeziu për “Gazeta Blic’.

Ismet Kryeziu, Drejtor ekzekutiv KDI
Në vazhdimësi nga faktori ndërkombëtar po bëhet thirrje për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Një draft-statut i hartuar nga Ekipi Menaxhues dhe i prezantuar në Bruksel, është cilësuar si antikushtetues nga kryeminstri Kurti.
Ende pala kosovare nuk ka një draft konkret për Asociacionin e komunave serbe.
Thirrja e fundit për themelimin e Asociacionit erdhi sot nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.
Hovenier deklaroi se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është detyrë urgjente për Kosovën.
“Në vitin 2013, Kosova u zotua për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne kemi qenë shumë të qartë për një kohë të gjatë dhe presim që do të bëhet, dhe tani është një çështje edhe më urgjente sepse është një element thelbësor i përgjegjësisë së Kosovës dhe përkushtimit të Kosovës edhe ndaj Marrëveshjes së Brukselit, por edhe kur vjen puna. marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”
Ai tha se SHBA-ja e mirëpret draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por shtoi se tani duhet të futemi në çështjet praktike të hartimit të një statuti që e zbaton Asociacionin.
“Jam në dijeni që Ekipi Menaxhues ka paraqitur një propozim në tryezë, jam i vetëdijshëm që shumë njerëz kanë gjykuar se ky propozim i Ekipit Menaxhues e tejkalon këtë kuadër apo kufizimet që kam përshkruar. Marrëveshja e Brukselit përshkruan se ekipi menaxhues e bën këtë punë dhe e vendos propozimin në tavolinë, por edhe marrëveshja e Brukselit kërkon që palët të diskutojnë dhe negociojnë për këtë” deklaroi ambasadori amerikan raporton Gazeta Blic.


