Lajme

Kryeziu kritikon disa rryma islame në Kosovë: Jeni duke cenuar traditat dhe historinë kombëtare

08/06/2024 17:07
nga:G C

Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka komentuar konvertimet e fundit fetare në Kosovë.

Ai ka mbrojtur konvertimet e disa qytetarëve në fenë katolike, ndërsa ka kritikuar disa rryma të fesë islame.

Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se disa rryma të islamin kanë sjell në Kosovë një kulturë që ka qenë në kundërshtim me traditën e shqiptarëve.

Sipas tij, importimi i praktikumeve të tilla prodhojnë rezistencë.

“Islami, si fe, ka parime dhe mësime universale që mund të praktikohen brenda konteksteve të ndryshme kulturore, etnike e historike. Askush nuk është kundër besimit të askujt, madje besimin, cilin do qoftë ai, duhet ta trajtojmë jo vetëm si të drejtë por dhe si diversitet e pasuri kombëtare. Megjithatë, nuk është e nevojshme që elemente kulturore të importohen, pasi çdo vend, përfshirë dhe neve si komb e kemi praktikuar besimin islam në përputhje me kulturën, traditat dhe historinë tonë. Por, pas vitit 2000 konkretisht në Kosovë, shamiat, mjekrrat, pantallonat e shkurtër treçerekshe, perçja, lutjet në rrugë, mohimi i kombit e simboleve kombëtare, mohimi dhe fyerja e heronjve etj. janë shenja të një kulture të caktuar, nga vendet arabe apo të Lindjes së Mesme. Nuk janë pjesë as e besimit e as e praktikimit Islam. Jo në përputhje me kulturën, traditat e historinë tonë. E importimi dhe praktikimi i kësaj kulture, e cila të largon nga identiteti kombëtar e kulturor, normalisht që do prodhojë rezistencë. Qoftë dhe si Lëvizja e Deçanit”, ka shkruar Kryeziu.

Sipas tij, rrymat e tilla janë dukur si dorë e huaj dhe projekt antikombëtar,

“Tek e fundja dhe praktikat e tilla të juaja po mundohemi me i kuptuar si pasurim dhe diversitet, kulturor e fetar. Por, ju jeni duke cenuar vlerat, traditat dhe historinë kombëtare. E, kjo shumë më shumë duket të jetë dorë e huaj e projekt antikombëtar, se sa e disa qytetarëve të cilët janë pagëzuar në të krishterë dhe në asnjë rast nuk cenojnë asnjë vlerë, traditë e as asgjë të kombit dhe vendit tonë. Përkundrazi”, ka shkruar Kryeziu.