Lajme

Kryeziu: Drafti i Asociacionit i përgatitur nga FES është në përputhje me Kushtetutën

02/01/2023 18:51
nga:Astrit Gashi

Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë ka prezantuar para dy ditësh draft-statutin për “Asociacionin e Komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë”. E kjo sipas ish-nënkryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në Tëvë 1, Kryeziu theksoi se të tilla projekte janë të mira për shkak se i ndihmojnë themelimit të një statuti që është detyrë e Qeverisë.

“Drafti ose ky projekti gjerman është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, po ashtu është me marrëveshjen e 2013 në Bruksel, nënshkruar nga kryeministri Thaçi atëherë, dhe nga Ivica Daqiq. Këto drafte ose këto projekte të cilat mund të vijnë nga cilado organizatë apo shoqatë janë të mira, për atë arsye se i ndihmojnë themelimit të një statuti të cilin kompetencë ose detyrë e ka Qeveria e Kosovës”, potencoi ai.

Sipas tij, drafti i prezantuar mund të jetë njëri prej drafteve, pasi siç thotë ai, do të ketë edhe drafte të tjera të natyrës tjetër për ndihmesë Qeverisë.

Drafti i Asociacioni sipas Fondacionit Friedrich Ebert thekson se Asociacioni do të jetë si person juridik i themeluar në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës.

Tutje theksohet se Asociacioni/Bashkësia do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale.