Lajme

Kryetarja e Preshevës mirëpret propozimin për rikthimin e hyrje-daljeve në Kosovë pa certifikatën e vaksinimit me tri doza

02/03/2022 17:39
nga:Y I

Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani ka mirëpritur propozimin për rikthimin e hyrje-daljeve në Kosovë pa certifikatën e vaksinimit me tri doza dhe pa testin PCR me dy doza.

Ajo në një postim në Facebook ka falënderuar autoritetet e Kosovës që kanë marrë parasysh shqetësimet e Komunës së Preshevës në lidhje me këtë çështje.

“Uroj që ky propozim i sotëm të bëhet nesër vendim “, ka shkruar Sinani.

Sinani më herët kishte thënë se masat antiCOVID-19, të vendosura më 22 janar nga Qeveria e Kosovës, kanë vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Luginës së Preshevës për në territorin e Kosovës.

Ajo me atë rast i kishte bërë thirrje Qeverisë së Kosovë t’i shqyrtojë këto masa, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit.

Komiteti për menaxhim të pandemisë COVID-19 sot ka propozuar lehtësim të masave antiCOVID.

Kufizimi i lëvizjes është propozuar të jetë deri në orën 24:00, ndërsa orari i lokaleve të gastronomisë deri në 23:00. Po ashtu është lejuar hyrja në Kosovë me dy vaksina pa pasur nevojë për testin PCR.

Propozimet nesër pritet të votohen në Qeveri, ndërsa hyjnë në fuqi të shtunën.

Përfundon mbledhja e Komitetit, ministri Latifi njofton për masat e reja