Sporti

Kryetari shqiptar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë jep dorëheqje

11/17/2024 21:09
nga:E K

I pari i futbollit maqedonas është shqiptar dhe quhet Muamed Sejdini.

Mirëpo, ai më nuk do të jetë në krye të futbollit në Maqedoninë e Veriut, pasi ka ofruar dorëheqjen.

Muamed Sejdini është që shtatë vite në krye të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, duke arritur një herë në kampionatin europian nën udhëheqjen e tij.

Ai ka shkruar në “Facebook” se do të jetë në krye deri më 22 dhjetor, kur do të jetë Kuvendi i Jashtëzakonshëm për të zgjedhur kryetarin e ri.

“Pas 7 viteve të jashtëzakonshme dhe të mbushura me arritje historike, kam vendosur të tërhiqem nga pozita e Presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë. Ky vendim vjen si rezultat i reflektimit tim për një moment të përshtatshëm ndryshimi, pas një periudhe që do të mbetet si më e suksesshmja në historinë e futbollit tonë.

Nën drejtimin tim, së bashku me ju, kemi shkruar kapituj të artë për futbollin e Maqedonisë: kualifikimi historik në Kampionatin Europian EURO 2020, renditja e dytë në grupin kualifikues për Kupën e Botës dhe fitorja e paharrueshme kundër Italisë në Palermo, sukseset e Ligës së Kombeve me kalimin në Ligën B dhe realizimi i projekteve të shumta infrastrukturore në bashkëpunim me UEFA-n dhe FIFA-n.

E lë këtë pozicion me krenari dhe falënderim të madh për të gjithë ata që kontribuuan në këto arritje: lojtarët, trajnerët, klubet, investitorët, administratën, Komitetin Ekzekutiv (Këshillin Drejtues) dhe çdo dashamirës të futbollit.

Unë do të vazhdoj të ushtroj rolin tim deri më 22 dhjetor, kur në një Kuvend të Jashtëzakonshëm do të zgjidhet pasardhësi im.

Me besim të plotë në të ardhmen e Federatës dhe të futbollit tonë, ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe bashkëpunimin ndër vite.”, njoftimi i plotë nga Sejdini.

Maqedonia e Veriut fitoi edhe sonte ndaj Ishujve Faroe, duke arritur kështu pesë fitore nga pesë ndeshje në Ligën C të Ligës së Kombeve.